Ndodhi në pyll


Vendosi korbi
të krrokasë një këngë,
dhe a'e dini pse!?
Sepse e urrente pishën,
në degën e saj, pa leje
donte të ngrinte fole,
e krrau-krrau gjithë ditën.


Krrokamat vërtiste
mbi trungun e drejtë,
dhe a'e dini pse!?
E trembte i vetes mjerimi.
E trembte e zeza e zemrës që kish,
për korbin gjithë tersin,
e kish i saj'i, blerimi.

Të zezën e tij
kërkonte tjetërkund,
dhe a'e dini pse!?
S'mund të vishte të tjera ngjyra.
Krratë e mallkimit prej vitesh
që hidhte mbi pishën,
mendueshëm i dëgjoi natyra.


Vetullat ngrysi
kjo gjygjtare e madhe,
dhe a'e dini pse!?
Si besonte syve kur korbin shihte,
të zezën e tij bashkë
me krratë e tjera,
pishës së drejtë t'ia vishte
.

Dëgjoi kohën
më të drejtën dëshmi,
dhe a'e dini ç'bëri!?
Leshoi më të egrin uragan,
por pisha prej vendit su tund.
Përveç korbit e të zezave krrokama
që humnerës i shkuan në fund!