Ti pishëzë e vogel pranë dritares,
dhurata varur nuk të shoh askund,
dritëzat e yjeve dhe argjendi i hënës
të ndriçojnë mbi majë veç një pëllumb.
☼
Por, unë dua lodra, se jam fëmijë,
slitën kur zbret qiellit dua të shikoj,
mjekërbardhin e qeshur babaxhan,
mbi çati trokun e kaprojve të dëgjoj.
☼
Po nuk është pëllumbth vogëlushi im,
i shpupurit flokët pishëza e pëshpërin,
është engjëll-paqe lënë nga viti i vjetër,
është testament për vitin në vazhdim.
☼
Eshtë testament për lodrat tuaja,
një spital që po ndërtohet për fëmi,
për shkollat ku këndojmë ne abc-në
engjëlli i dijes, që troket në çdo shtëpi.
☼
Eshtë gëzimi që flet me gjuhën tuaj,
nënë-dashurat e baballarët fjalëpak,
eshte tingulli magjik i fjalës "të dua",
për çdo vogëlush më e bukura dhuratë.
☼